Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

UNESCO

Kisha e Shën Premtës (Kisha e Levishës)

Kisha e Shën Premtës (Kisha e Levishës) e cila gjendet në Zonën Historike të Prizrenit, u rindërtua më 1306-07. Supozohet se themelet e kishës paleokristiane të fazës së parë (shek. V-VI) e më pas të bazilikës Bizantine (shek. IX), vihen mbi themelet e tempullit Pagan (para erës sonë) të përkushtuar hyjneshës ilire të plleshmërisë dhe lindjes: Prema apo Premta. Pas rënies së Prizrenit nën Perandorinë Osmane, në vitet 1455-59 dhe shndërrimit të saj në xhami emërtohet si Xhuma Xhami, emra këta që përdoren në popull edhe sot e kësaj dite. Me luftën e parë Ballkanike më 1912, xhamia rikthehet në kishë. Minarja e saj u rrënua në vitin 1923. Më 1948, vihet nën mbrojtjen e ligjit me numrin 352. Bazuar në vlerat historike, artistike, shoqërore, shpirtërore, aseti Kisha e Shën Premtës (Kisha e Levishës) në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

2

Manastiri i Graçanicës

Gjendet në qendër të Graçanicës. Manastiri i sotëm është rikonstruktim i një kishe të shekullit XIV kushtuar Virgjëreshës Mari, e cila ishte ndërtuar në themelet e një bazilike të hershme krishtere të shekullit VI. Restaurimi më i madh në manastir është bërë nga fundi i shekullit XVI, ku të gjitha hapjet në narteksin e jashtëm janë murosur dhe janë pikturuar afreske të reja. Piktorët e famshëm nga Selaniku Mihajli dhe Evtihije i përfunduan afresket në kishën kryesore deri më 1321, prej të cilave Cikli i Festave të Mëdha, Mundimet dhe Mrekullitë e Krishtit janë më të njohurat. Enterieri i manastirit është i pasur me afreske. Manastiri i Graçanicës është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore në mbrojte të UNESCO-s. Bazuar në vlerat historike, artistike, shoqërore, shpirtërore, aseti Manastiri i Graçanicës në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshillit i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Patrikana e Pejës

Patrikana e Pejës është e vendosur në hyrje të grykës së Rugovës afër Pejës. Tempulli i Shenjtë Apostujve u ndërtua nga Kryepeshkopi Arsenije në dekadën e tretë të shekullit XIII. Gjatë shekullit XIV, modifikime të vogla janë bërë në Kishën e Apostujve të Shenjtë, kështu që disa pjesë janë dekoruar më vonë. Patriarkët dhe kryepeshkopët serbë u varrosën në kishat e Patriarkanës nga shekulli XIII deri në XVII. Gjatë shekullit XIX, një mulli uji, një bujtinë dhe mure guri të reja janë shtuar për tej kompleksit. UNESCO shpalli Patrikanën e Pejës për pozitën e 13-të trashëgimisë kulturore botërore korrik 2006. Ndërsa me 13 korrik 2003, Patrikana e Pejës u vendos nga UNESCO në listën e pasurive të mbrojtura botërore. Bazuar në vlerat historike, artistike, shoqërore, shpirtërore, aseti Patrikana e Pejës në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

2

Manastiri i Deçanit

Manastiri Deçanit është ndërtuar në pjesën e parë të shekullit XIV. Bazuar në mbishkrimin e gravuar mbi arkitraun e portikut jugor në narteksin (hajatin) e kishës ajo është ndërtuar në periudhën 1327-1335. Manastiri i Deçanit gjendët në perëndim të Kosovës, në Komunën e Deçanit, në luginën e lumit Lumbardhë. Kisha së bashku me kupolën është e lartë 32 m, gjatë perjudhës mesjetare është njohur me emrin Deçani i Lartë. Nga jashtë, ndërtimi i kishës është përzierje e stileve romake dhe të gotikës, ndërsa brenda është e mbuluar me vizatime të kombinuara tradicionale të stilit ortodoks të lindjes dhe atij bizantin. Manastiri është ndërtim monumental, bazilikë me pesë anijata e mbuluar me kube, e cila qëndron mbi tambur dhe narteksin me tri anijata. Në Kishë janë të ndërtuar edhe dy altarë të veçantë. Njëri në pjesën veriore të Kishës së Shën Dhimitrit, ndërsa tjetri në anën jugore të Kishës së Shën Nikollës. Arkitekti kryesor i Manastirit të Deçanit ka qenë mjeshtri Fra Vito nga Kotorri, një murg françeskan, i cili e kishte zbukuruar manastirin me shumë elemente të cilat e veçojnë romanikën. Njëkohësisht, manastiri i Deçanit është i pasur me freska nga shekulli XIV. Manastiri ka një thesar të pasur të eksponateve të lëvizshme me vlera të mëdha muzeale. Në këto koleksione duhet veçuar ikonat, librat në dorëshkrim si dhe lëndët e ndryshme në përdorim për ceremonitë liturgjike. Manastiri i Deçanit është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore në mbrojte të UNESCO. Bazuar ne vlerat historike, artistike, shoqërore dhe shpirtërore, aseti i trashëgimisë kulturore Manastiri i Deçanit në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.