Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Pse duhet të mbrohet trashëgimia kulturore?

Kur shikojmë rregulloret e para për mbrojtjen e pasurive kulturore në aspektin ndërkombëtar shohim se këto kanë të bëjnë me dëmtimin e pasurive kulturore në mjedisin e luftës dhe konfliktit të armatosur. Sulmet ndaj monumenteve historike, spitaleve, dhe ndërtesave të cilat përdoren për qëllime fetare, arsimore, artistike, shkencore ose bamirësie janë të ndaluara në bazë të rregullores nr.4 të Konventës së Hagës të vitit 1907 ku flitet për lligjet e luftës, zakonet dhe traditat. Sipas kësaj rregulloreje, qëllimi i mbrojtjes së shkollave, spitaleve ose pronave tjera me karakter civile ka veti të ngjashme me mbrojtjen e pasurive kulturore. Megjithatë, duke marrë parasysh zhvillimet në fushën e trashëgimisë kulturore pas vitit 1950, është parashtruar kuptimi se krahas vlerës artistike apo shkencore të saj, trashëgimia kulturore duhet mbrojtur për shkak se paraqet “trashëgimin e përbashkët e njerëzimit”. Në parathënien e Konventës së Hagës (UNESCO 1954) e cila rregullon mbrojtjen e pronave kulturore në një mjedis konflikti të armatosur, theksohet se “Meqenëse çdo komb ka dhënë kontributin e vet në kulturën botërore, çdo cenim ndaj artafakteve kulturore pa marrë parasysh kombësinë e tyre, do të konsiderohet si dhunim i domenit kulturor të mbarë njerëzimit”. Ndërsa në parathënien e Konventës së Trashëgimisë Botërore theksohet se “ degradimi ose shkatërrimi i ndonjë pjesë të trashëgimisë kulturore dhe natyrore përbën një varfërim të dëmshme për trashëgiminë e të gjitha kombeve botërore”, “pjesët e trashëgimisë kulturore dhe natyrore kanë një rëndësi të veçantë dhe për këtë arsye duhet të ruhen si pjesë e trashëgimisë botërore të mbarë njerëzimit”, dhe “pjesëmarrja në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore është detyrë e gjithë komunitetit ndërkombëtar”. Këshilli i Evropës e njeh gjithashtu kuptimin e trashëgimisë së përbashkët duke miratuar dokumente në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Në Deklaratën Universale të UNESCO-S mbi diversitetin kulturor të vitit 2001, trashëgimia kulturore është ekspozuar si burim i kreativitetit dhe është theksuar se “ ajo duhet të ruhet pothuajse në të gjitha format e saj, të pasurohet e të zgjërohet, dhe kështu të dorëzohet brezave të ardhshme si një dëshmi e përvojës dhe aspiratave njerëzore në mënyrë që të nxitet kreativiteti gjithanshëm dhe të ndihet një dialog efektive midis kulturave”.

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore paraqet rëndësi ekuivalente me vlerat e tjera të përbashkëta dhe shumë të rëndësishme siç janë mbrojtja e të drejtave të njeriut apo mbrojtja e mjedisit.

Në konventën e UNESCO-s të vitit 2003 për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale thuhet se, trashëgimia kulturore jomateriale e transmetuar brez pas brezi “rikrijohet vazhdimisht në varësi të ndërveprimit të komuniteteve dhe grupeve me mjedisin, natyrën, dhe historinë e tyre, dhe kjo u jep atyre një ndjenje identiteti dhe kontinueliteti, duke kontribuar kështu në respektimin e diversitetit kulturor dhe kreativitetit human”. Nga ana tjetër, Konventa Kuadër për Vlerën e Trashëgimisë Kulturore për Shoqërinë (Konventa Faro), e cila është shtuar në legjislacionin e Këshillit të Evropës në vitin 2005, e përkufizon trashëgiminë kulturore si “një burim për zhvillimin njerëzor, për rritjen e diversitetit kulturor, për promovimin e dialogut ndërkulturor, dhe si pjesë e modelit të zhvillimit ekonomik bazuar në parimin e shfrytëzimit kontinuel të burimeve”. Konventa Faro gjithashtu e konsideron trashëgiminë kulturore brenda fushës së të drejtave të njeriut dhe e interpreton atë si një të drejtë individuale. Sipas konventës, çdokush ka të drejtë të gëzoj dhe të kontribuoj në pasurimin e trashëgimisë kulturore (neni 4), dhe kjo e drejtë gjendet në thelb të “drejtës për të marrë pjesë në jetën kulturore” të përcaktuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Prandaj, funksioni i trashëgimisë kulturore ka ndryshuar me kalimin e kohës dhe është shndërruar në një element që përbën identitetin kulturor të komuniteteve dhe individëve, nga pasuria me vlerë historike dhe artistike që i nënshtrohet vetëm hetimeve shkencore. Me pak fjalë, mbrojtja e trashëgimisë kulturore si një vlerë e përbashkët ka rëndësi ekuivalente me vlerat e tjera të përbashkëta dhe shumë të rëndësishme siç janë mbrojtja e të drejtave të njeriut apo mbrojtja e mjedisit.