Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Cultural Bridge

Trashëgimia Kulturore

Trashëgimia kulturore i referohet artefakteve/vlerave historike të cilat kanë mbijetuar që nga brezat e kaluar dhe ruhen me qëllim që të shërbejnë në favor të brazave të ardhshme, me vlerat e tyre universale dhe karakteristikat specifike të cilat i posedojnë (dëshmojnë traditat, janë produkte të kreativitetit të qenies njerëzore, përfaqësojnë një ose më shumë periudha të historisë njerëzore, etj.). Trashëgimia kulturore përfshin kulturën materiale, kulturën shpirtërore dhe trashëgiminë natyrore. Kuptimi i trashëgimisë kulturore ia përkujton shoqërisë dhe anëtarëve të shoqërisë një të kaluar të përbashkët, duke përforcuar elementet e unitetit dhe të solidaritetit të cilat mundësojnë vazhdimsinë e traditave dhe shumëllojshmërin e tyre.

Kultura Materiale: Klasifikohet duke u ndarë në dy grupe të cilat janë trashëgimia e luajtshme dhe e paluajtshme. Monumente, skulptura, artefakte arkeologjike, piktura, peizazhe, mbishkrime, etj.

Kultura Shpirtërore: Folklori, traditat, gjuha, historia orale, etj.

Trashëgimia Natyrore: Peizazhet që kanë rëndësi kulturore dhe biodiversiteti.

Si bëhet ruajtja kulturore?
Disa nga proceset dhe disiplinat e ruajtjes së kulturës materiale janë si më poshtë:
• Shkenca arkivore
• Muzeologji
• Restaurimi dhe konservimi
• Ruajtja artistike, arkeologjike dhe arkitektonike
• Ruajtja e incizimeve folklorike
• Ruajtja dhe transferimi i filmit në media dixhitale
• Ruajtja dixhitale

Disa nga proceset e realizuara për ruajtjen e kulturës shpirtërore janë:
• Ruajtja e gjuhës
• Historia orale
• Traditat
• Folklori

Ndërsa në kuadër të proceseve të realizuara për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dominon kryesisht mbrojtja e biodiversitetit (bimët, kafshët, speciet endemike, farat stërgjyshore).

Pse duhet të mbrohet trashëgimia kulturore?

Kur shikojmë rregulloret e para për mbrojtjen e pasurive kulturore në aspektin ndërkombëtar shohim se këto kanë të bëjnë me dëmtimin e pasurive kulturore në mjedisin e luftës dhe konfliktit të armatosur. Sulmet ndaj monumenteve historike, spitaleve, dhe ndërtesave të cilat përdoren për qëllime fetare, arsimore, artistike, shkencore ose bamirësie janë të ndaluara në bazë të rregullores nr.4 të Konventës së Hagës të vitit 1907 ku flitet për lligjet e luftës, zakonet dhe traditat. Sipas kësaj rregulloreje, qëllimi i mbrojtjes së shkollave, spitaleve ose pronave tjera me karakter civile ka veti të ngjashme me mbrojtjen e pasurive kulturore. Megjithatë, duke marrë parasysh zhvillimet në fushën e trashëgimisë kulturore pas vitit 1950, është parashtruar kuptimi se krahas vlerës artistike apo shkencore të saj, trashëgimia kulturore duhet mbrojtur për shkak se paraqet “trashëgimin e përbashkët e njerëzimit”. Në parathënien e Konventës së Hagës (UNESCO 1954) e cila rregullon mbrojtjen e pronave kulturore në një mjedis konflikti të armatosur, theksohet se “Meqenëse çdo komb ka dhënë kontributin e vet në kulturën botërore, çdo cenim ndaj artafakteve kulturore pa marrë parasysh kombësinë e tyre, do të konsiderohet si dhunim i domenit kulturor të mbarë njerëzimit”. Ndërsa në parathënien e Konventës së Trashëgimisë Botërore theksohet se “ degradimi ose shkatërrimi i ndonjë pjesë të trashëgimisë kulturore dhe natyrore përbën një varfërim të dëmshme për trashëgiminë e të gjitha kombeve botërore”, “pjesët e trashëgimisë kulturore dhe natyrore kanë një rëndësi të veçantë dhe për këtë arsye duhet të ruhen si pjesë e trashëgimisë botërore të mbarë njerëzimit”, dhe “pjesëmarrja në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore është detyrë e gjithë komunitetit ndërkombëtar”. Këshilli i Evropës e njeh gjithashtu kuptimin e trashëgimisë së përbashkët duke miratuar dokumente në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Në Deklaratën Universale të UNESCO-S mbi diversitetin kulturor të vitit 2001, trashëgimia kulturore është ekspozuar si burim i kreativitetit dhe është theksuar se “ ajo duhet të ruhet pothuajse në të gjitha format e saj, të pasurohet e të zgjërohet, dhe kështu të dorëzohet brezave të ardhshme si një dëshmi e përvojës dhe aspiratave njerëzore në mënyrë që të nxitet kreativiteti gjithanshëm dhe të ndihet një dialog efektive midis kulturave”.

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore paraqet rëndësi ekuivalente me vlerat e tjera të përbashkëta dhe shumë të rëndësishme siç janë mbrojtja e të drejtave të njeriut apo mbrojtja e mjedisit.

Në konventën e UNESCO-s të vitit 2003 për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale thuhet se, trashëgimia kulturore jomateriale e transmetuar brez pas brezi “rikrijohet vazhdimisht në varësi të ndërveprimit të komuniteteve dhe grupeve me mjedisin, natyrën, dhe historinë e tyre, dhe kjo u jep atyre një ndjenje identiteti dhe kontinueliteti, duke kontribuar kështu në respektimin e diversitetit kulturor dhe kreativitetit human”. Nga ana tjetër, Konventa Kuadër për Vlerën e Trashëgimisë Kulturore për Shoqërinë (Konventa Faro), e cila është shtuar në legjislacionin e Këshillit të Evropës në vitin 2005, e përkufizon trashëgiminë kulturore si “një burim për zhvillimin njerëzor, për rritjen e diversitetit kulturor, për promovimin e dialogut ndërkulturor, dhe si pjesë e modelit të zhvillimit ekonomik bazuar në parimin e shfrytëzimit kontinuel të burimeve”. Konventa Faro gjithashtu e konsideron trashëgiminë kulturore brenda fushës së të drejtave të njeriut dhe e interpreton atë si një të drejtë individuale. Sipas konventës, çdokush ka të drejtë të gëzoj dhe të kontribuoj në pasurimin e trashëgimisë kulturore (neni 4), dhe kjo e drejtë gjendet në thelb të “drejtës për të marrë pjesë në jetën kulturore” të përcaktuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Prandaj, funksioni i trashëgimisë kulturore ka ndryshuar me kalimin e kohës dhe është shndërruar në një element që përbën identitetin kulturor të komuniteteve dhe individëve, nga pasuria me vlerë historike dhe artistike që i nënshtrohet vetëm hetimeve shkencore. Me pak fjalë, mbrojtja e trashëgimisë kulturore si një vlerë e përbashkët ka rëndësi ekuivalente me vlerat e tjera të përbashkëta dhe shumë të rëndësishme siç janë mbrojtja e të drejtave të njeriut apo mbrojtja e mjedisit.

Kosova në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

Në kuadër të Konferencës së 17-të të Përgjithshme të UNESCO-s e cila u mblodh në Paris në mes të datave 17 tetor – 21 nëntor të vitit 1972 u miratua “Konventa Botërore për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore” me datën 16 nëntor 1972, me qëllim të promovimit global të vlerave kulturore dhe natyrore të cilat kanë vlerë universale dhe konsiderohen si pjesë e trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit, për të krijuar ndërgjegjësim në shoqëri në aspektin e mbrojtes së trashëgimisë ndërkombëtare, dhe për të siguruar bashkëpunimin e duhur për mbijetesën e vlerave kulturore dhe natyrore të cilat rrezikojnë të shkatërrohen. Kjo konventë është miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 23.05.1982, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare me datën 14.02.1983.
Statusi i “Trashëgimisë Botërore” u jepet strukturave natyrore, monumenteve dhe vendeve të cilat kanë rëndësi ndërkombëtare dhe për këtë arsye duhet të vlerësohen dhe të mbrohen. Strukturat kandidate fitojnë të drejtën e këtij statusi në përputhje me vendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore si rezultat i një seri procedurave të cilat fillojnë me aplikimin e shteteve anëtarë që kanë pranuar konventën në UNESCO dhe finalizohen pas vlerësimit të tyre nga ekspertët e Këshillit Ndërkombëtar të Monumenteve dhe Vendeve (ICOMOS) dhe Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe të Burimeve Natyrore (IUCN).
Që nga viti 2021 në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s janë regjistruar 1154 pasuri kulturore dhe natyrore në mbarë botën, ku 897 prej tyre janë pasuri kulturore, 218 prej tyre janë pasuri natyrore, ndërsa 39 prej tyre janë pasuri kulturore dhe natyrore. Për informacione gjithëpërfshirëse mund të vizitohet ueb faqja zyrtare të qendrave të trashëgimisë botërore nga adresa https://whc.unesco.org/en/list.

Pasuritë e Kosovës të cilat bëjnë pjesë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s janë si më poshtë:

Lista e aseteve të Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të përhershme

Lista e aseteve të Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të përhershme e aprovuar me datën 10.10.2016 , sipas propozimeve të shqyrtuara nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore për përfshirje të këtyre aseteve në Listën e objekteve me status të mbrojtjes së përhershme.

Lista e aprovuar përfshin 23 asete të trashëgimisë kulturore, respektivisht :

1. Kisha e Shën Premtës (Kisha e Levishës)

2. Manastiri i Deçanit

3. Manastiri i Graqanicës

4. Patrikana e Pejës

5. Xhamia e Mbretit

6. Shtëpi banimi (ish Akademia e Shkencave dhe Arteve)

7. Shtëpi banimi (IMMK)

8. Kompleks banimi (Emin Gjiku) Muzeu Etnologjik

9. Kompleksi Xhamia e Hadumit

10. Kulla e Haxhi Zekës (Kullë shqiptare e Jashar Pashës)

11. Xhamija e Sinan Pashës

12. Hidroelektrana-Muzeu i Elektroekonomisë

13. Hamami i Gazi Mehmet Pashës

14. Kishë dhe Shkollë fillore në gjuhën shqipe

15. Kështjella “kalaja” Kulla e vjetër

16. Kalaja e Harilaqit

17. Municipium Ulpiana-Justinia Secunda

18. Lokaliteti arkeologjik “qyteza”

19. Kalaja e Prizrenit

20. Lokaliteti arkeologjik “Fusha e madhe dhe Tuma”

21. Qyteza e fortifikuar në Veletin-Shashkoc

22. Gërmadha e Kalasë së Korishës

23. Kalaja e antikitetit të vonë në Keqekollë

Korniza Ligjore e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se institucionet e Kosovës “sigurojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore dhe fetare”.  Për më tepër, me miratimin e Strategjisë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore 2017-2027 në dhjetor të vitit 2016, qeveria ka ofruar një dokument strategjik të politikave për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Strategjia ka qasje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse për trashëgiminë kulturore duke e lidhur atë me zhvillimin e qëndrueshëm përmes Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (OZhQ), qasjen e UNESCO-s, duke i kushtuar vëmendje vlerësimin e rrezikut për pasurinë kulturore siç rekomandohet nga Bashkimit Evropian.

Pasi të zbatohen, këto mjete do të sigurojnë që institucionet e Kosovës të përmbushin standardet bashkëkohore të menaxhimit të trashëgimisë. Si e tillë, Strategjia shërben si gurë-themel për institucionet e trashëgimisë kulturore, duke përfaqësuar dokumentin e parë gjithëpërfshirës të politikave të hartuar përmes një proces të konsultimit gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet kryesore ndërkombëtare.  Strategjia përfshin standardet përkatëse ndërkombëtare dhe praktikat e mira, dhe parasheh njohjen e të drejtave dhe privilegjeve që i janë dhënë Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Më tej, ajo e përcakton trashëgiminë kulturore si shtyllë të domosdoshme për zhvillim të qëndrueshëm, dhe parasheh zbatimin e saj mbi bazën e pesë objektivave kryesore.

Strategjia Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore 2017 – 2027

• Objektivi 1: Avancimi i kuadrit ligjor dhe institucional
• Objektivi 2: Qasja e integruar në trashëgiminë kulturore, drejt zhvillimit të qëndrueshëm
• Objektivi 3: Përfshirja e trashëgimisë kulturore në planet zhvillimore
• Objektivi 4: Promovimi i trashëgimisë kulturore
• Objektivi 5: Arsimimi, trajnimi dhe pjesëmarrja aktive në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore