Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Trashëgimia Kulturore e Prizren

Xhamia e Sinan Pashës, më e bukura në Kosovë.

Është monument mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë fetare në Prizren, si e tillë mund të quhet edhe perla e qytetit dhe lirisht mund të them se është xhamia më e bukur jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë. Xhamia e Sinan Pashës ndodhet në Zonën Historike të qytetit të Prizrenit. Me pozitën e saj dominuese, dimensionet, formën, proporcionin e minares ndaj kupolës, materialet dhe teknikën e ndërtimit, dekorimet e pasura në enterier, Xhamia e Sinan Pashës paraqet njërin prej monumenteve më karakteristike të qytetit antik të Prizrenit. Ajo ka filluar të ndërtohet në vitin 1607 dhe ka përfunduar në vitin 1615. Ndërtimi i saj e mban emrin e Sofi Sinan Pashës, njeri me pozitë të rëndësishme në administratën Osmane.

Xhamia ka planimetri katrore dhe qasja nga rruga bëhet në anën veriore nëpërmjet shkallëve të gdhendura prej guri. Minarja e xhamisë është ndërtuar prej gurëve shtufe (siga), me bazë katrore dhe trung rrethor. Para hyrjes në xhami ndodhet hajati i hapur, gjithashtu i punuar prej guri. Hajati mbi vete përmban tri kupola të mbuluara me plumb të cilat mbështeten në shtylla guri me bazë rrethore. Kurse xhamia mbulohet me një kupolë të gjerë më diametër 42.5 m. Enterieri është hapësirë unike, e ndriçuar përmes dritareve të radhitura në nivele.

Në pjesën e brendshme, kupola është e pikturuar me motive florale dhe islame në tri fazat e punimeve të saj. Dy fazat e para të pikturave u takojnë shekujve XVI-XVII të punuar me teknikën “al seko”, kurse faza e tretë i takon periudhës së shekullit XIX të punuar në stilin Barok, ku kryesisht ngjyra e kaltër është dominuese.

Përgjatë historisë, xhamia nuk ka shërbyer përherë për nevoja fetare për shkak të rrethanave jo të favorshme të herëpashershme në Kosovë.

Deri ne vitin 1912, ajo përmbushte nevojat fetare të besimtarëve, ndërsa gjate luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore pësoi mjaft dëmtime, sidomos pjesa e hajatit. Me formimin e Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore në vitin 1967, filloi përkujdesja për monumentet. Ndërsa gjatë viteve 1968- 69 pas një renovimi xhamia shndërrohet në Muze të Dorëshkrimeve Orientale.

Nga viti 2007 deri në vitin 2011 janë bërë punimet restauruese si në enterier po ashtu edhe në eksterier derisa u hap përsëri në shërbim të besimtarëve, menjëherë pas mbarimit të restaurimeve.

Në anën jugore të saj, krahas rregullimit të oborrit është hapur edhe një lokal tradiconal, ku banorët e kësaj ane relaksohen përballë xhamisë me pamje jashtëzakonisht të bukur.

Për fund do thënë se xhamia në fjalë, në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Ura e Gurit

Përmes Prizrenit kalon lumi Lumbardh i cili e ndan qytetin në dy pjesë, pothuajse të barabarta. Mbi Lumbardhin e Prizrenit, në rrjedhat e historisë, u ngritën shumë ura por pa dyshim më e veçanta që u shndërrua në simbol të qytetit është Ura e Gurit. Ura e Gurit gjendet në qendrën e qytetit të vjetër. Në anën lindore të saj gjendet Ura e ”Arastës”, kurse në anën perëndimore gjendet Ura e ”Naletit”. Ura lidh drejtpërsëdrejti sheshin Shatërvan (në anën e majtë të lumit) dhe Saraçhanën (në të djathtë të lumit). Burimet historike nuk ofrojnë të dhëna për kohën e saktë të ndërtimit të saj. Në bazë të materialit, stilit, teknikës së ndërtimit, supozohet se ura është ndërtuar kah fundi i shekullit XV, ose në fillim të shekullit XVI. Ura e vjetër është e ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar dhe të lidhur ndërmjet vete me llaç gëlqeror.

Ura e vjetër ishte triharkore, harku i mesëm ishte më i madh, kurse harqet anësore më të vogla. Gjatësia e urës së dikurshme ishte përafërsisht 30m, ndërkaq e urës së tanishme është 17m. Gjatësia e harkut të madh është 10m, lartësia 5m. Gjatësia e harqeve anësore 4m, lartësia 3m. Ura ka edhe një hark të vogël ndihmës me gjatësi 103cm dhe lartësi 160cm. Gjerësia e trasesë është 4,20m dhe është e shtruar me kalldrëm. Ura ka një rrethojë prej 40cm që përcjellë nivelimin e saj dhe ka shërbyer vetëm për këmbësorë. Në rrjedhat e historisë, ura ka përjetuar disa ndryshime të mëdha. Ajo pësoi dëme serioze strukturale gjatë ndërtimit të shtratit të Lumbardhit, në vitet ‘60. Me këtë rast mbyllet krejtësisht harku i saj, në të majtë të lumit. Ndërkaq harku i anës së djathtë pësoi me rastin e ndërtimit të aksit rrugor, në anën e djathtë të lumit, më 1963. Urës rreziku më i madh i erdhi nga faktorët natyrorë. Vërshimi i lumit më 17-18 nëntor të vitit 1979 shkaktoi rrënimin e urës në tërësi.

Prizrenasit të mallëngjyer për shkatërrimin e urës u mobilizuan dhe sipas projektit të hartuar nga M. Gojkoviq, ing., më 5 qershor 1982 fillojnë punimet për rindërtimin e saj. Punët restauruese i kreu Ndërmarrja e “Elanit”, nën mbikëqyrjen e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit. Ura e rindërtuar solemnisht u inaugurua më 17 nëntor 1982. Kështu ura natyrshëm vjen në ambientin e vet dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë. Duke marrë në konsideratë vlerat e mirëfillta të trashëgimisë, Ura e Gurit me vendimin nr. 2345 të datës 31 dhjetor 1948 vihet nën mbrojtje të shtetit.